Historia e dashurisë mes ish-konkurrentëve të Ferma VIP, Ola Elezaj dhe Adionit, e cila fillimisht u duk si një marrëdhënie e vështirë për t’u pranuar nga familja, është kurorëzuar tashmë me një fejesë pas përfundimit të rrugëtimit të tyre në këtë format televiziv.
E ftuar së fundmi në emisionin Ferma Club, Ola ka ndarë detaje rreth zyrtarizimit të lidhjes menjëherë pas daljes nga reality show. Ajo ka treguar se familja e saj e kishte pranuar Adionin me një simpati të madhe, diçka që as ajo vetë nuk e priste.
Sipas saj, gjithçka u konkretizua shumë shpejt pasi komunikuan në telefon dhe Adioni propozoi që të shkonte të nesërmen për ta zyrtarizuar marrëdhënien.
Gjatë intervistës, ish-fermerja komentoi edhe momentin e shumëpërfolur të hyrjes së vëllait të saj në fermë. Ajo e ka mbrojtur veprimin e tij, duke theksuar se ai kishte plotësisht të drejtë dhe bëri gjënë e duhur në atë moment. Ola shpjegoi se brenda shtëpisë e kishte të pamundur t’i vërtetonte familjes vërtetësinë e ndjenjave, por kjo u dëshmua sapo dolën jashtë.
Për sa i përket jetës së tyre aktuale, Ola zbuloi se lidhja ishte konsoliduar që brenda fermës dhe se aktualisht çifti po bashkëjeton në qytetin e Gjakovës në Kosovë, një përvojë që ajo e cilësoi si shumë të bukur.
Pavarësisht këtij fundi të lumtur, ajo pranoi se eksperienca në Ferma VIP ka qenë emocionalisht e ngarkuar. Ola u shpreh se shpesh është penduar për pjesëmarrjen e saj në këtë format, pasi më parë kishte një jetë shumë të qetë. Megjithatë, ajo theksoi se e vetmja arsye pse ia vlejti kjo sfidë ishte njohja me Adionin.
“Jam penduar shumë dhe nëse do e ktheja kohën pas, nuk do kisha hyrë në Ferma VIP, sepse isha shumë rehat. Por ndodhi për një arsye, që të njihja Adionin,” u shpreh Ola.
Në fund, ajo shtoi se nga bashkëjetesa në fermë i mungojnë më shumë Visi dhe Romiri, duke theksuar gjithashtu se ky rrugëtim e ka ndihmuar të zbulojë anë të panjohura të karakterit të saj.
