“Tmerrohet” Edi Rama, i kërkohet largimi nga zyra brenda shtatë ditësh

Një zhvillim ka tronditur korridoret e pushtetit në Tiranë. Në zyrat e Kryeministrisë ka mbërritur një letër që, sipas burimeve pranë ngjarjes, ka futur administratën në gjendje alarmi maksimal.

Bëhet fjalë për një ultimatum të firmosur nga Edison Rrapushi, i vetëshpallur i deleguar i “Qeverisë Teknike”, ku kërkohet lirimi urgjent i ambienteve të Kryeministrisë për t’i hapur rrugë hyrjes triumfale të Profesor Pëllumb Pilinçit si kryeministër i ri.

Në dokumentin epik, me datë 6 maj 2026, i jepet Edi Ramës vetëm shtatë ditë afat për të liruar zyrën, ndërsa kërkohet edhe pastrimi i “zhgarravinave nëpër mure”, si dhe ndalimi i menjëhershëm i çdo VKM-je, sikur vendi të jetë futur në regjim administrativ nga lagjja.

Burime pranë korridoreve të pushtetit thonë se stafi i Kryeministrisë ka mbetur i shtangur nga serioziteti i kërkesave. Disa punonjës dyshohet se kanë nisur të kontrollojnë kontratat e punës, ndërsa të tjerë po kërkojnë në Google nëse ekziston vërtet “Qeveria Teknike e Profesor Pilinçit”.

Kulmi i letrës vjen me paralajmërimin se Rama “do të trajtohet si Maduro i Venezuelës” nëse nuk bindet. Një krahasim që mesa duket është menduar si goditja finale diplomatike për të tundur themelet e qeverisë shqiptare.

Ndërkohë, Profesor Pëllumb Pilinçi thuhet se po pret i qetë momentin historik për të hyrë në Kryeministri, ndoshta me një valixhe në dorë dhe një plan 3-pikësh për shpëtimin e kombit, universit dhe galaktikës njëkohësisht.