Sfida e mbrëmshme për imunitet në “Ferma VIP” ka lënë pas një shije të hidhur dhe një valë të madhe polemikash që kanë kaluar kufijtë e shtëpisë.
Ndonëse DJ Bujaka u shpall fitues i lojës, mënyra se si u arrit ky triumf është vënë në pikëpyetje të madhe nga banorët, e tashmë edhe nga familjarët e konkurrentëve.
Gjatë lojës, Sara Karaj akuzoi hapur Bujakën për përdorim të forcës fizike dhe goditje për të çarë rrugën drejt fitores, një qëndrim ky që u mbështet fuqishëm edhe nga Ilir Shaqiri dhe Blerina brenda fermës.
Por, reagimi më i ashpër ka ardhur nga jashtë, ku familjarët që menaxhojnë rrjetet sociale të Sarës kanë lëshuar një deklaratë të fortë.
Përmes një postimi në Instagram, familjarët e Sarës kanë dënuar jo vetëm veprimin fizik gjatë lojës, por mbi të gjitha mungesën e ndjeshmërisë dhe empatisë pas incidentit. Sipas tyre, “kampioni” dhe rrethi i tij shoqëror reaguan me tallje e perqeshje në vend që të tregonin njerëzillëk.
“Asnjë reagim. Asnjë ‘si je?’ pas një dëmtimi që mund të kishte shkuar edhe shumë më keq. Askush nuk po konteston fitoren. Por forca e përdorur në lojë dhe mungesa e ndjeshmërisë edhe pas saj nuk tregojnë forcë karakteri,” – thuhet në reagimin e tyre zyrtar.
Në postim theksohet se përballja me një vajzë fizikisht më të brishtë kërkonte të paktën një minimum empatie pas lëndimit. Mesazhi mbyllet me një leksion moral drejtuar fituesit të sfidës, duke vënë në dukje se rëndësia e vërtetë e njeriut duket te mënyra se si sillet me tjetrin pasi e ka rrëzuar.
“Më e rënda nuk ishte vetëm goditja, por indiferenca pas saj. Sepse njeriu nuk tregohet në momentin që fiton, por në mënyrën si sillet me tjetrin pasi e ka rrezuar. Fituesi i vërtetë është ai që di të zgjasë dorën, jo të gëzojë kur tjetri lendohet,” – përfundon deklarata e familjarëve të Sarës.

Mbetet për t’u parë nëse ky incident do të adresohet sërish nga produksioni në ditët në vijim.
