Ditët e fundit, në mediat shqiptare kanë qarkulluar lajme dhe aludime mbi mbërritjen e Hantavirusit në vendin tonë.
Ky alarm u rikthye në vëmendjen globale pasi OBSH raportoi disa raste të rënda dhe humbje jete në bordin e një mjeti lundrues ndërkombëtar. Por, a është vërtet ky një rrezik i ri dhe i panjohur për Shqipërinë?
Në fakt, jo. Ekspertët, përfshirë edhe shefen e Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, kanë sjellë në vëmendje se ky virus është një realitet i njohur për komunitetin shkencor shqiptar prej dekadash.
Që në vitin 1987, revista prestigjioze mjekësore “The Lancet” ka dokumentuar një rast të rëndë të infektimit në veri të Shqipërisë, i studiuar nga mjekët tanë të asaj kohe.
Hantavirusi është një grup virusesh që mbartet nga brejtësit (minjtë). Njerëzit mund të infektohen kryesisht duke thithur ajrin e kontaminuar ku ndodhen grimca të thata nga urina ose jashtëqitjet e tyre, ndërkohë që transmetimi nga njeriu te njeriu është jashtëzakonisht i rrallë.
Meqenëse virusi ka qenë gjithmonë i pranishëm në natyrë, sidomos në zonat rurale, magazina apo bodrume, është thelbësore të njihen shenjat klinike.
Simptomat: Çfarë duhet të dini dhe kur duhet të shqetësoheni?
Periudha e inkubacionit (koha nga infektimi deri te shfaqja e shenjave të para) zakonisht llogaritet nga dy deri në katër javë, por mund të shkojë deri në tetë javë. Shenjat klinike ndahen në dy faza:
1. Simptomat fillestare (Të ngjashme me gripin)
Sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), në ditët e para virusi “maskohet” si një virozë e zakonshme. Pacientët përjetojnë:
- Lodhje të theksuar fizike.
- Temperaturë të lartë.
- Dhimbje koke.
- Dhimbje të forta muskulore, kryesisht të përqendruara në muskujt e mëdhenj të trupit, si në zonën e shpinës dhe kofshëve.
2. Komplikacionet e rënda (Kur sëmundja avancon)
Nëse infeksioni përparon, ai shfaqet në dy sindroma të ndryshme mjekësore, të cilat prekin organe jetësore të ndryshme:
Sindroma Pulmonare e Hantavirusit (HPS) – Prek mushkëritë:
Pas disa ditësh me çrregullime në stomak, pacientët fillojnë të kenë vështirësi të theksuara në frymëmarrje. Kjo ndodh për shkak të grumbullimit të lëngjeve në mushkëri. Është forma më e rrezikshme me një shkallë vdekshmërie që arrin deri në 38%.
Ethet Hemorragjike me Sindromë Renale (HFRS) – Prekin veshkat:
Kjo është forma që është hasur edhe historikisht në Shqipëri. Simptomat avancohen me dhimbje të forta mesi (lumbare) dhe barku, skuqje dhe inflamacion të syve, duke degraduar në ulje drastike të tensionit të gjakut, hemorragji të brendshme dhe deri në dështim akut (bllokim) të veshkave.
A ka një kurë?
Aktualisht nuk ekziston një medikament i posaçëm antiviral apo protokoll i standardizuar për të zhdukur virusin. Ekspertët theksojnë se pacientët shtrohen menjëherë në spital për të marrë kujdes mbështetës emergjent, si terapi me oksigjen dhe monitorim të vazhdueshëm të zemrës, mushkërive dhe veshkave.
Personat e moshuar apo me imunitet të dobësuar janë më të rrezikuarit, ndaj specialistët apelojnë që mbrojtja më e mirë është higjiena dhe dezinfektimi i vazhdueshëm i ambienteve për të mbajtur larg brejtësit.
