Hyrja e re në shtëpinë e “Ferma VIP”, Zhaku (Inida Gjata), ka filluar të hapet me banorët e tjerë duke ndarë detaje nga jeta e saj personale.
Në një bisedë të sinqertë gjatë orëve të vona, ajo ka folur për një temë delikate: të kaluarën e saj dhe varësinë që ka pasur nga lëndët narkotike.
Zhaku pranoi se e kishte përdorur këtë substancë si një formë shpëtimi nga një gjendje jo e mirë emocionale, megjithatë, theksoi se nuk bëhej fjalë për droga të rënda.
“Unë s’kam abuzuar me droga të rënda. Faktikisht, bar kam pirë, por e bëra varësi një periudhë kohe,” – tha ajo, duke shtuar se e ndiente veten të futur në një “kllapë” prej së cilës ishte e vështirë të shkëputej.
Pavarësisht kësaj periudhe të vështirë, Zhaku theksoi se tani e ka lënë pas atë fazë dhe ndihet shumë herë më mirë.
“Jam shumë më e mirë tani që jam e kthjellët, patjetër,” – pohoi ajo me bindje.
Me natyrën e saj të drejtpërdrejtë dhe pa komplekse, ky rrëfim i Zhakut shton një tjetër dimension në profilin e saj brenda shtëpisë, duke treguar që ajo nuk ka frikë të përballet me të kaluarën dhe të flasë hapur për sfidat personale.
