Akuza hidh-e-prit mes Olës dhe Arbanës: “Zemra ime, familjarët e tu…”

Pas eliminimit nga “Ferma VIP 3” me vendim të publikut, Fabjola Elezaj zhvilloi intervistën e saj të parë në studio, në një përballje të drejtpërdrejtë me moderatoren Arbana Osmani.

Hyrja e saj u karakterizua nga një ftohtësi e dukshme dhe një tension i heshtur. Sapo iu afrua prezantueses, Ola fillimisht refuzoi t’i jepte dorën, por ishte vetë Arbana ajo që theu akullin me një thirrje miqësore: “Hajde mo, hajde”, duke ia zgjatur dorën pavarësisht ofendimit të rëndë që ish-banorja i bëri pak ditë më parë në transmetim live.

Pasi u ul në karrigen e të eliminuarës, Ola gjeti momentin për t’i kërkuar sërish falje Arbanës për fjalorin e papërshtatshëm. Nga ana e saj, moderatorja i dha fund këtij debati një herë e mirë, duke e siguruar se nuk mbante inate personale: “Të kam falur që atë natë. Unë e kam mbyllur këtë kllapë që ti ke me mua.”

Biseda mori një tjetër rrjedhë kur Ola deklaroi se e priste këtë eliminim si pasojë e veprimit të saj, por nuk i kurseu akuzat ndaj produksionit për trajtim të pabarabartë dhe favorizime.

Sipas saj, disa konkurrentë marrin vazhdimisht informacione dhe orientime nga jashtë, duke sjellë si shembull konkret bisedën e fundit me mikeshën e saj në shtëpi, Gresa Sekiraqën.

Në një moment Gresa vjen sot dhe më thotë që menaxheri më ka thënë t’i afrohem Mozës,” – u shpreh Fabjola, duke lënë të kuptohet se loja e banorëve po dirigjohet nga jashtë.

Kjo deklaratë u prit menjëherë nga Arbana, e cila pranoi se kishte dyshime mbi këtë strategji të re të Gresës.

Moderatorja theksoi se kishte parë dronë që i shkonin asaj me mesazhe të tilla si ‘Gresa–Moza’ apo ‘Gresa–Bujaka’, duke e cilësuar këtë si një orientim të qartë nga njerëzit e saj jashtë dhe paralajmëroi se mezi pret ta diskutojë këtë gjë me vetë banoren.

Megjithatë, pretendimet e Olës për pabarazi u kundërshtuan me mjeshtëri nga moderatorja, e cila i rikujtoi ish-banores se dhënia e informacioneve ka ndodhur me të gjithë, përfshirë edhe vetë atë. Arbana zbuloi se edhe Ola kishte marrë mesazhe të koduara nga familjarët:

“Megjithatë, me thënë të drejtën, unë e di që informacionet vijnë dhe kanë ardhur edhe për ty, zemra ime, nga familjarët e tu… me ngjyrat e rrobave që ua sjellin. Të shohim se si ia kanë çuar Gresës këto informacione menaxhmenti i vet.”

Kjo përballje shënoi mbylljen e rrugëtimit të Olës në këtë format.