Pak pasi aktori i njohur i humorit Bes Kallaku bëri publike një fotografi mjaft të afërt dhe romantike krah partneres së tij të re, rrjetet sociale dhe mediat janë përfshirë nga kurioziteti për të zbuluar identitetin e saj.
Ndonëse Besi ka zgjedhur ta mbajë këtë detaj sekret, duke publikuar vetëm imazhe ku ajo shfaqet me shpinë, gazetari Elton Tozaj ka ndarë disa informacione gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë me “Klan Kosova”.
I pyetur rreth vajzës në fjalë, Tozaj ka konfirmuar se e njeh atë, duke e përshkruar si një vajzë të thjeshtë dhe “shumë të këndshme”, larg botës së personazheve publike dhe showbiz-it shqiptar apo atij kosovar.
Përtej kësaj, ai ka zbuluar edhe një detaj mjaft interesant, duke theksuar se partnerja e re e aktorit ka një ngjashmëri të dukshme me ish-bashkëshorten e tij, këngëtaren Xhensila Myrtezaj.
Gjatë bisedës me moderatoren, e cila e pyeti nëse kjo ngjashmëri vjen nga tiparet fizike si flokët, Tozaj theksoi se bëhet fjalë për një ngjashmëri të përgjithshme në paraqitjen e tyre.
