Reagojnë fëmijët e 57-vjeçarit që i mori jetën dy të miturve me makinë

Pas aksidentit tragjik që tronditi Durrësin dhe mbarë opinionin publik, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë, kanë reaguar për herë të parë fëmijët e autorit të ngjarjes, 57-vjeçarit Nikoll Radaçi.

Në një mesazh të dërguar në redaksinë e JOQ Albania, vajza dhe djali i tij shprehin dhimbjen e thellë dhe kërkojnë falje publike ndaj familjeve të viktimave për tragjedinë e rëndë që ndodhi.

“Sot dalim përpara familjeve të viktimave me një dhimbje shumë të madhe dhe me një barrë të rëndë në zemër. Në emrin tonë dhe të familjes sonë, kërkojmë falje publike për tragjedinë që ka ndodhur,” – shprehen ata.

Ata theksojnë se janë të vetëdijshëm se asnjë fjalë nuk mund të lehtësojë dhimbjen e familjeve që humbën fëmijët e tyre, ndërsa e cilësojnë këtë ngjarje si një plagë që do të mbetet përjetë.

“E dimë që asnjë kërkim faljeje nuk mund të kthejë jetët e humbura. Megjithatë, ndjejmë detyrimin moral dhe njerëzor të përulemi me respekt të thellë dhe të shprehim keqardhjen tonë më të sinqertë,” – vijon mesazhi.

Në reagimin e tyre, ata nënvizojnë se nuk po kërkojnë justifikime dhe nuk po shmangin përgjegjësinë për atë që ka ndodhur, duke u shprehur të gatshëm të përballen me drejtësinë dhe të mbështesin familjet e prekura në çdo mënyrë të mundshme.

Një apel i veçantë u drejtohet drejtpërdrejt familjeve të viktimave:

“Ju kërkojmë falje me gjithë shpirt. Dhimbja juaj është e paimagjinueshme dhe e padrejtë.”