Reagimi rrëqethës i nënës së një prej të miturve që humbi jetën në Durrës

Informacione shtesë janë bërë publike lidhur me aksidentin e ndodhur një ditë më parë në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku si pasojë e përplasjes nga një automjet humbën jetën dy fëmijë, kushërinj me njëri-tjetrin, ndërsa vëllai i njërit prej viktimave po merr trajtim mjekësor në spital për shkak të lëndimeve.

Sipas të dhënave, nëna e njërit prej të miturve që ndërroi jetë ndodhej jashtë vendit, konkretisht në Itali, në momentin e aksidentit. Ajo kishte udhëtuar për t’i qëndruar pranë bashkëshortit të saj, i cili po trajtohet për një sëmundje të rëndë.

Mësohet se prindërit janë njohur me dinamikën e ngjarjes përmes pamjeve të regjistruara nga kamerat e sigurisë pranë vendngjarjes.

Një banore e lagjes është prononcuar rreth situatës së familjes, duke theksuar: “Ishin në fshatin tonë, ishin një familje ideale që shihnin vetëm punën e tyre. Por ishin të varfër. Ngjarjen e kanë parë nga televizori, mamaja kishte shkuar në Itali të vizitonte bashkëshortin që ishte sëmurë. Kanë parë ngjarjen nga kamerat, mamaja vetëm bërtet” Ma vranë djalin në derë të shtëpisë. Babai është shumë sëmurë, me sëmundje të keqe me zor flet. Kjo ngjarje që ka ndodhur na ka prekur të gjithë jo vetëm ata. Një gjë të tillë nuk ia uron as armikut”.