Policia e Durrësit rezulton se ka “mbyllur sytë” ndaj shkeljeve të përsëritura të shoferit Nikoll Radaçi, i cili një ditë më parë shkaktoi aksidentin tragjik ku humbën jetën dy fëmijë dhe u plagos rëndë një i tretë.
Dokumentet zyrtare tregojnë se 57-vjeçari kishte një histori të përsëritur shkeljesh në qarkullim, kryesisht tejkalim shpejtësie dhe parakalim të gabuar, shkruan “JOQ Albania”.
Sipas Kodit Rrugor, në rast përsëritjeje të shkeljes së shpejtësisë brenda dy viteve, masa e pezullimit të lejes së drejtimit duhet të variojë nga 8 deri në 18 muaj.
Megjithatë, në vitin 2022, kur ministër i Brendshëm ishte Bledi Çuçi dhe drejtor i Policisë së Durrësit Skënder Hita, i cili sot mban postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Radaçi është ndëshkuar sërish vetëm me pezullim 1-mujor, një masë që bie ndesh me parashikimet ligjore, duke ngritur pikëpyetje për zbatimin e ligjit nga Policia Rrugore e Durrësit.
Ky trajtim i butë ndaj shkeljeve të përsëritura po shihet si një nga hallkat e dobëta të sistemit të kontrollit rrugor, ndërsa pas tragjedisë së rëndë janë pezulluar disa drejtues të lartë të Policisë në Durrës.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje debatin për zbatimin selektiv të ligjit dhe pasojat që ai sjell në jetën e qytetarëve.
