“Më vrisni, nuk…”/ Zbardhet dëshmia e 57-vjeçarit në polici që i mori jetën dy të miturve në Durrës

Shtetasi 57-vjeçar, Nikollë Radaçi, i cili shkaktoi aksidentin e mesditës së të dielës në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe një tjetër u dërgua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, ka dhënë shpjegimet e tij para oficerëve të policisë gjyqësore.

Mësohet se ai e ka nisur deklarimin e tij me fjalët: “Më vrisni, nuk meritoj të jetoj.”

Për shkak të pranisë së lartë të alkoolit në gjak, grupi hetimor e ka zhvilluar procesin e marrjes në pyetje në dy faza të ndryshme.

Gjatë këtyre seancave, i ndaluari ka pranuar gjendjen e tij të dehur, duke deklaruar përpara autoriteteve se nuk ka asnjë kujtesë vizuale apo detaj lidhur me momentin e përplasjes.

Sipas të dhënave të mbledhura nga terreni, drejtuesi i mjetit kishte qenë objekt i ankesave të vazhdueshme nga komuniteti lokal.

Banorët kishin njoftuar më parë institucionet ligjzbatuese për lëvizjet e tij me shpejtësi mbi normat e lejuara dhe nën efektin e pijeve alkoolike.

Referuar dëshmive, vetëm 24 orë para kësaj ngjarjeje, ai rrezikoi të përplaste një tjetër qytetar së bashku me nipin e tij.

Verifikimet në sistemin e Policisë Rrugore tregojnë se 57-vjeçari është një person i njohur për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Në të shkuarën, atij i është pezulluar leja e drejtimit në dy raste të veçanta, specifikisht për drejtimin e automjetit në gjendje të dehur.