E fundit: Aksidenti tragjik, merret ky vendim ndaj drejtorit të policisë në Durrës

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka njoftuar marrjen e masave pezulluese për tre zyrtarë të lartë të Drejtorisë Vendore të Policisë në Durrës.

Ky vendim pason ngjarjen rrugore të ndodhur një ditë më parë, ku si pasojë e përplasjes nga një automjet, dy fëmijë humbën jetën ndërsa një i tretë mbeti i lënduar.

Sipas deklaratës zyrtare të institucionit:

Nisur nga aksidenti shumë i rëndë i ndodhur dje, në qytetin e Durrësit, si pasojë e të cilit humbën jetën 2 të mitur dhe u dëmtua një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skënder Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave:
-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.”

Në vijim të këtyre veprimeve, Drejtoria e Policisë Rrugore është udhëzuar të ngrejë një grup ekspertësh për të verifikuar në terren rrethanat dhe shkaqet teknike të aksidentit.

Ndërkohë, një proces i hetimeve disiplinore ka nisur nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, për të saktësuar nëse ka pasur mosveprime ose shkelje të përgjegjësive nga ana e punonjësve të policisë lidhur me këtë situatë.