Detaje të reja: Rëndohet edhe më shumë ngjarja tragjike në Durrës

Një ngjarje me pasoja fatale është regjistruar në qytetin e Durrësit, pasi një automjet tip “Benz ML”, i drejtuar nga shtetasi Nikoll Radaçi, ka devijuar nga karrexhata duke përplasur tre fëmijë që ndodheshin në trotuar.

Si pasojë e kësaj goditjeje, dy të mitur kanë humbur jetën, ndërsa një i tretë ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve për shkak të lëndimeve të rënda.

Informacionet e mbledhura rëndojnë edhe më shumë ngjarjen pasi tregojnë se njëri prej fëmijëve që ndërroi jetë u aksidentua pranë biznesit të familjes, ku banonte me motrën dhe të afërmit, për shkak se prindërit e tij gjenden në Itali për kurimin e të atit nga kanceri.

Ndërkohë, bëhet e ditur se viktima e dytë dhe i mituri i plagosur kishin lidhje farefisnore mes tyre, duke qenë kushërinj.

Sipas dëshmive të banorëve të zonës, drejtuesi i mjetit, Radaçi, raportohet si një person me historik të drejtimit të automjetit në kundërshtim me rregullat e qarkullimit dhe si përdorues i pijeve alkoolike.