Çështja “Balluku”/ SPAK kontroll shtëpisë së Sokol Ballës, ja për çfarë dyshohet

SPAK po ndjek një strategji hetimore ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke futur në “unazë” të gjithë rrethin familjar dhe atë shoqëror të saj.

Ylli “polar” i kontrolleve më të fundit ndaj rrethit të Ballukut ka qenë edhe gazetari Sokol Balla, ish-bashkëshorti i numrit dy të Ramës.

Pak ditë më parë SPAK ushtroi kontroll në banesën e Sokol Ballës, i cili edhe pse është zyrtarisht ish-bashkëshorti, duket se ka shërbyer si mekanizëm për pastrimin e parave të ish-gruas, dyshon SPAK.

Kujtojmë se para se ish-bashkëshorti i Belindës, Sokol Balla, të kontrollohej nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ai është paraqitur në SPAK dhe ka dhënë shpjegime lidhur me disa transferta parash në Austri dhe jo vetëm.

Gjatë daljes nga ambientet e SPAK, Balla doli i “trullosur”, duke mos dhënë asnjë deklaratë për mediat dhe, për më tepër, ngatërroi derën e daljes nga ambientet.

SPAK ka ngritur dyshime të forta se ish-bashkëshorti i Belinda Ballukut ka përfituar benefite financiare dhe pasuri të paluajtshme, duke shfrytëzuar këtë lidhje me zyrtaren e lartë të qeverisë Rama.

Ndërkohë, paralelisht me këto kontrolle, SPAK ka kërkuar në gjykatë dy ditë më parë autorizimin për lejimin e këqyrjes dhe ekspertimit të sendeve elektronike të sekuestruara në ambientet ku është ushtruar kontrolli.

Gjithashtu, hetimi është intensifikuar me marrjen në pyetje të disa personave, mes të cilëve edhe biznesmenë që kanë përfituar tenderat e 7 loteve për ndërtimin e Unazës së Madhe.