VIDEO | Zjarrvënie e qëllimshme? Pamjet kur personi i vë flakën kartonave

Pamjet e reja të shpërndara në rrjet hedhin dritë mbi momentin kur nisi zjarri masiv që përfshiu pasditen e sotme kompleksin “Arlis” pranë Farmacisë 10, afër QSUT-së.

Edhe pse videoja është me cilësi të ulët, dallohet qartë momenti kur një person afrohet pranë kartonave të vendosur jashtë ambientit të “Big Market” dhe më pas nga aty shpërthejnë flakët.

Nga pamjet, gjithçka lë të kuptohet se kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme, megjithëse ende nuk dihet identiteti i personit dhe rrethanat e plota të ngjarjes.

Menjëherë pas ndezjes së kartonave, flakët janë përhapur me një shpejtësi alarmante drejt fasadës së pallatit, duke u ngjitur vertikalisht në pak minuta dhe duke përfshirë disa kate të godinës.

Pamjet dramatike tregojnë se fasada është kthyer në një lloj “fitili”, ku zjarri ka gjetur terren për t’u përhapur me shpejtësi të frikshme. Kjo ka rikthyer edhe një herë në vëmendje dyshimet serioze mbi cilësinë e materialeve të përdorura në veshjen e jashtme të kompleksit.

Ky është i njëjti kompleks që u përfshi nga flakët edhe në vitin 2021, kur JOQ Albania denoncoi përdorimin e materialeve të dyshuara si të djegshme në fasadë, në vend të izoluesve antizjarr sipas standardeve.

Fakti që zjarri i nisur nga disa kartona jashtë marketit u përhap kaq shpejt në të gjithë fasadën ngre sërish pikëpyetje të forta mbi sigurinë e godinës dhe cilësinë e materialeve të përdorura.

Ndërkohë, nga zjarri janë krijuar skena paniku, me banorë që largohen me urgjencë nga apartamentet, mes tyre edhe një nënë me foshnjën në krahë, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë heroikisht për të shpëtuar të moshuarit e mbetur të bllokuar.

Autoritetet pritet të zbardhin nëse bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme dhe kush është personi që shfaqet në video.