Mbrëmja e djeshme në spektaklin e “Ferma VIP 3” është shoqëruar me një moment mjaft të sikletshëm gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, i cili nuk ka kaluar pa u vënë re nga shikuesit e vëmendshëm.
Teksa po komunikonte me publikun dhe po listonte emrat e pesë fermerëve që ishin në nominimin e fundit, moderatorja Arbana Osmani është përballur me një “bllokim” të papritur.
Ajo arriti të përmendte me lehtësi katër prej tyre, por emri i fermeres së pestë i doli tërësisht nga mendja. Ajo që e bëri situatën edhe më të vështirë ishte fakti se as opinionistët në studio nuk arritën t’i vinin menjëherë në ndihmë për t’ia rikujtuar në ato momente hezitimi.
Situata u thye nga opinionisti Ermal Mamaqi, i cili, duke përdorur humorin që e karakterizon, arriti t’ia kujtojë emrin duke thënë se bëhej fjalë për Fabiolën. Për të kaluar këtë ngërç, Ermali shtoi me batutë: “E pashë tani në Instagram”.
Ndonëse në pamje të parë ky mund të konsiderohet si një lapsus i thjeshtë njerëzor që shpesh ndodh në transmetime “live”, ka qenë padiskutim një moment jo fort i këndshëm për moderatoren e dashur të publikut.
