Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm zonën e Maliqit, ku një 45-vjeçar është gjetur i pajetë në rrethana makabre, i varur në kangjellat e murit rrethues të një banese private në fshatin Palasë.
Sipas informacioneve paraprake nga policia, pista kryesore e hetimit është vdekja aksidentale. Dyshohet se 45-vjeçari ka tentuar të hyjë në oborrin e banesës, e cila nuk ishte e tija, duke u ngjitur mbi mur.
Më momentin që ka tentuar të kalojë, bluza që kishte veshur i është kapur në kangjella, duke i bllokuar frymëmarrjen. Për pasojë, ai ka humbur jetën në vend.
Hetuesit po verifikojnë pistën se viktima mund të ketë qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes, gjë që mund të ketë ndikuar në humbjen e ekuilibrit dhe pamundësinë për t’u çliruar.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një aksident tragjik apo nëse fshihet ndonjë rrethanë tjetër. Trupi i pajetë është dërguar në morg për ekzaminime mjeko-ligjore.
