Si Mark Zuckerberg tentoi të vidhte skuadrën e Mira Muratit, por DËSHTOI…

Mira Murati, e rritur në Vlorë dhe sot një nga emrat më të fuqishëm të inteligjencës artificiale, ka ndërtuar një prej historive më frymëzuese të teknologjisë moderne.

Pas studimeve në Dartmouth dhe një eksperience të hershme në Tesla, ku kontribuoi për Model X dhe Autopilot, Murati iu bashkua OpenAI në vitin 2018, duke udhëhequr projektet që sollën Codex, DALL·E dhe ChatGPT.

Në vitin 2022 ajo u emërua Drejtoreshë e Teknologjisë, ndërsa gjatë krizës së vitit 2023 mbajti përkohësisht postin e CEO-së, duke e mbajtur kompaninë të qëndrueshme.

Pas largimit nga OpenAI, në vitin 2025 ajo themeloi “Thinking Machines Lab”, një startup që arriti vlerësimin prej 12 miliardë dollarësh brenda pak muajsh dhe tërhoqi investime prej 2 miliardë dollarësh që në nisje.

Sipas mediave ndërkombëtare, Meta e Mark Zuckerberg tentoi të tërhiqte ekipin e saj me oferta marramendëse – deri në 1 miliard dollarë për një inxhiniere – por askush nuk pranoi. Arsyeja, sipas burimeve, ishte besimi i palëkundur tek vizioni i Muratit.

Nga një vajzë që la Shqipërinë 16-vjeçare për të ndjekur ëndrrat, në një lider botëror të teknologjisë që po përcakton të ardhmen e AI, Mira Murati mbetet shembulli i forcës, vizionit dhe inovacionit.

Historia e saj është ende në fillim, por tashmë shihet si një nga më të jashtëzakonshmet e epokës digjitale.