Futbollisti i njohur i Liverpoolit, Diogo Jota, ka ndërruar jetë pas një aksidenti të rëndë rrugor në provincën e Zamorës, në Spanjë.
Ngjarja ka ndodhur në kilometrin 65 të autostradës A-52, në afërsi të zonës Palacios de Sanabria.
Sipas autoriteteve lokale, automjeti në të cilin udhëtonte Jota, së bashku me vëllain e tij André, 26 vjeç dhe gjithashtu futbollist profesionist, ka dalë nga rruga, duke shkaktuar një zjarr që ka përfshirë të gjithë mjetin.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të emergjencës, Diogo Jota nuk arriti t’i mbijetojë plagëve. Nuk është bërë ende e ditur gjendja e vëllait të tij, i cili po trajtohet nga mjekët në një spital rajonal.
Lajmi ka tronditur botën e futbollit dhe veçanërisht klubin e Liverpoolit, që nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar mbi ngjarjen. Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.