Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë ishullin grek të Hiosit, duke kërcënuar seriozisht banorët dhe tokat bujqësore të zonës.
Flakët, që nisën si tre vatra të ndara pranë qytetit kryesor të ishullit, janë bashkuar në një front të vetëm pas mesnatës, të nxitura nga erëra të forta.
Autoritetet greke kanë urdhëruar evakuimin e disa fshatrave përmes mesazheve emergjente, ndërsa dhjetëra banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Zjarri ka shkaktuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona që nuk janë ende në rrezik të drejtpërdrejtë.
Të gjithë 100 zjarrfikësit e ishullit janë angazhuar në terren, por për shkak të përmasave të flakëve, janë dërguar përforcime nga toka greke me 90 efektivë të tjerë. Ata po asistohen nga dhjetë helikopterë dhe dy avionë që kanë kryer hedhje uji deri në errësirë.
Flakët kanë përfshirë zona pyjore dhe bujqësore, duke rrezikuar të shkatërrojnë pemët që prodhojnë mastikën – një produkt i çmuar që përbën pjesën kryesore të ekonomisë së ishullit.
Në vitin 2016, një zjarr tjetër në Hios kishte shkatërruar mbi 3,500 hektarë dhe kishte dëmtuar rreth 90% të pemëve të mastikës në disa zona.
Ishulli, i vendosur në Egjeun lindor, është një nga zonat më të prekura nga zjarret gjatë verës, ndërkohë që autoritetet thonë se ndryshimet klimatike po e rrisin ndjeshëm intensitetin dhe shpeshtësinë e këtyre zjarreve.
Në vitin 2018, një zjarr i përmasave të mëdha në Mati të Greqisë shkaktoi vdekjen e mbi 100 personave, ndërsa kujtimet e atyre tragjedive janë ende të freskëta në memorien e publikut grek.