Presidenti Donald Trump ka njoftuar se forcat ajrore amerikane kanë shkatërruar plotësisht tre nga objektet kyçe bërthamore të Iranit, në një sulm të befasishëm që shënon përfshirjen zyrtare të Shteteve të Bashkuara në konfliktin e tensionuar në Lindjen e Mesme.
Sulmi ajror ndodhi vetëm pak ditë pasi Izraeli ndërmori një ofensivë të papritur ndaj infrastrukturës ushtarake dhe bërthamore të Iranit. Në më pak se tetë ditë, Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer dhjetëra raketa, me pasojë dhjetëra të vrarë, përfshirë zyrtarë të lartë ushtarakë iranianë dhe civilë.
SHBA tani i është bashkuar hapur fushatës izraelite, e cila synon të ndalojë, siç pretendojnë zyrtarët izraelitë dhe amerikanë, përpjekjet sekrete të Iranit për të ndërtuar një armë bërthamore – pretendim që Teherani e mohon kategorikisht.
Ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, e quajti sulmin “të turpshëm dhe kriminal” dhe paralajmëroi për pasoja të përhershme. Në një deklaratë në rrjetin X, ai tha: “Çdo anëtar i OKB-së duhet të alarmohet për këtë sjellje jashtëligjore dhe ekstremisht të rrezikshme.”
Nga Shtëpia e Bardhë, Trump falënderoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ushtrinë izraelite dhe “patriotët e mëdhenj amerikanë që fluturuan këto makina madhështore”. Ai deklaroi: “Objektet kryesore të pasurimit bërthamor të Iranit janë shkatërruar tërësisht.”
Kryeministri britanik Keir Starmer tha se SHBA kishte vepruar për të “zbutur një kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare” dhe i kërkoi Iranit të kthehet në tryezën e negociatave për një zgjidhje diplomatike.
Agjencia shtetërore iraniane IRNA konfirmoi se objektet në Fordow, Isfahan dhe Natanz ishin goditur.
Spekulimet për një goditje amerikane ishin rritur gjatë javës së fundit, ndërsa Trump nuk kishte dhënë një qëndrim të prerë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, kishte paralajmëruar se vendimi përfundimtar do të merrej “brenda dy javësh”, por bombardimi ndodhi vetëm dy ditë më vonë.
Megjithëse Trump konfirmoi pjesëmarrjen e bombarduesve B-2 – avionët më të sofistikuar të flotës amerikane – ai nuk specifikoi çfarë lloj bombash u përdorën. B-2 janë të vetmit avionë që mund të transportojnë bombën “bunker buster”, të aftë për të depërtuar në nivelet më të thella të objekteve nëntokësore si Fordow.
Situata mbetet jashtëzakonisht e tensionuar, me frikën se kjo përshkallëzim i drejtpërdrejtë mund të nxisë një përplasje rajonale më të gjerë ose edhe një përballje globale.