Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar planet për një sulm ushtarak ndaj Iranit, por ende nuk ka dhënë dritën jeshile për zbatimin e tyre, raportojnë Bloomberg dhe Wall Street Journal.
Mbrëmjen e së mërkurës, Trump është mbledhur në Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë me gjeneralët më të lartë amerikanë, ku janë diskutuar në detaje opsionet e ofensivës në përgjigje të sulmeve me raketa nga Irani, përfshirë goditjen e spitalit Soroka në Beer Sheva të Izraelit.
Një nga skenarët më të avancuar, sipas WSJ, përfshin përdorimin e bombarduesve strategjikë të padukshëm B-2, të cilët do të lëshonin bomba bunkerësh 30,000 paundëshe mbi objektet më të fortifikuara të programit bërthamor iranian, përfshirë impiantin nëntokësor të Fordow, një nga pikat kyçe të pasurimit të uraniumit të Teheranit.
Burime nga administrata amerikane konfirmojnë se planet janë të gatshme, por Trump po monitoron nëse regjimi iranian do të tërhiqet nga programi bërthamor përpara se të japë urdhrin përfundimtar për një ndërhyrje ushtarake.
“Mund ta bëj, mund të mos e bëj,” u shpreh Trump, duke lënë të hapur çdo mundësi.
Në të njëjtën linjë të ashpër është edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili paralajmëroi se Irani do të paguajë një çmim të lartë pas sulmeve që goditën objektiva civile në Izrael, përfshirë spitalin në jug të vendit.