Një ekspert i njohur i aviacionit, piloti komercial Steve Schreiber, ka deklaruar se pamjet e reja të publikuara nga momentet para përplasjes së fluturimit Air India AI171 tregojnë prova të qarta të një dështimi të dyfishtë të motorëve, vetëm disa sekonda pas ngritjes.
Aeroplani Boeing 787 Dreamliner, i nisur nga aeroporti ndërkombëtar Sardar Vallabhbhai Patel në Ahmedabad drejt Londrës Gatwick, u rrëzua mbi një zonë të banuar, duke vrarë 241 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit dhe 38 persona në tokë. Vetëm një person mbijetoi, shtetasi britanik Vishwash Kumar Ramesh.
Çfarë tregon pamja filmike?
Në analizën e bërë në kanalin e tij në YouTube, Captain Steve thekson se në pjesën e poshtme të krahut të djathtë të avionit shihet një objekt i vogël gri, që sipas tij është Ram Air Turbine (RAT) — një turbinë e vogël e emergjencës që aktivizohet vetëm në rastet kur avioni humb fuqinë elektrike dhe hidraulike.
“Ky komponent aktivizohet vetëm në tre skenarë: dështim total elektrik, dështim total hidraulik, ose dështim i dyfishtë i motorëve,” – deklaron Schreiber. “Fakti që RAT është lëshuar dhe që avioni ‘rrëshqiste’ në ajër tregon qartë se ka ndodhur një dështim i plotë i të dy motorëve.”
Ai gjithashtu përmendi se zhurma karakteristike e RAT është e ngjashme me një avion të vogël me helikë dhe se, në lartësi të ulët, ajo është shenjë e një emergjence ekstreme.
Mbijetuesi i vetëm, Vishwash Kumar Ramesh, 40 vjeç, ka raportuar se avioni u ndje sikur “u bllokua në ajër” dhe se dritat në kabinë filluan të pulsonin jeshile dhe të bardha, pak para se të ndodhte përplasja.
Schreiber argumenton se ky përshkrim përputhet me procesin e kalimit të fuqisë në RAT, ku sistemi elektrik i avionit përjeton ndërprerje të përkohshme gjatë aktivizimit të turbinës emergjente.
Katër prova që mbështesin hipotezën e dështimit të motorëve:
- Pamjet vizuale që tregojnë aktivizimin e RAT.
- Zhurma e fortë që përshkruhet nga dëshmitari.
- Pulsimet e dritave – shenjë e kalimit të sistemeve elektrike në emergjencë.
- Thirrja “Mayday” nga kapiteni që njofton për humbje të shtytjes (thrust).