Tensionet në Lindjen e Mesme kanë arritur një tjetër pikë kritike, pasi Irani ka kërcënuar hapur vendet perëndimore me një arsenal prej 2.000 raketash, nëse pengojnë sulmet e tij ndaj Izraelit.
Pas një vale intensive sulmesh gjatë natës, ku 10 civilë humbën jetën në Tel Aviv dhe 200 të tjerë mbetën të plagosur, situata është përshkallëzuar ndjeshëm.
Një raketë ka goditur edhe Jerusalemin, ndërsa miliona izraelitë janë detyruar të kërkojnë strehim emergjent përballë sulmeve nga ajri.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan se kanë reaguar me sulme ajrore të koordinuara ndaj objekteve strategjike në Teheran, përfshirë infrastrukturën bërthamore dhe depozitat e karburantit.
Agjencia iraniane Tasnim konfirmoi se një nga godinat e Ministrisë së Mbrojtjes në kryeqytetin iranian është dëmtuar.
Në këtë përplasje u përfshinë edhe rebelët Huthi të Jemenit, aleatë të Iranit, të cilët thanë se kanë lëshuar raketa balistike hipersonike “Palestine 2” drejt Izraelit, duke deklaruar se janë duke kryer operacione të koordinuara kundër “objektivave të ndjeshme” në territorin izraelit.
Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar në platformën Truth Social se çdo sulm ndaj SHBA-së do të pasohet nga një reagim ushtarak “me fuqi që nuk është parë ndonjëherë më parë”, duke u shprehur se “nëse ne sulmohemi në çfarëdo forme nga Irani, do të përgjigjemi në mënyrë të pamëshirshme”. Megjithatë, ai theksoi se SHBA nuk ka lidhje me sulmet izraelite ndaj Iranit.
Sipas gazetës Axios, administrata amerikane i ka bërë të qartë qeverisë izraelite se nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në sulme kundër impianteve bërthamore iraniane.
Ndërkohë, Wall Street Journal raporton se Izraeli nuk e përjashton mundësinë e goditjes së liderit suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, në përpjekjet për të çmontuar programin bërthamor të Iranit.
Ndërsa kriza thellohet, Irani ka kërcënuar vendet perëndimore, përfshirë SHBA-në, Britaninë dhe Francën, duke deklaruar se do të godasë bazat ushtarake dhe anijet e tyre në rajon nëse këto vende ndihmojnë në zmbrapsjen e sulmeve të tij kundër Izraelit.
Sipas mediave shtetërore iraniane, 2.000 raketa janë gati për t’u përdorur ndaj objektivave perëndimore, në një përshkallëzim që rrezikon të përfshijë mbarë rajonin dhe më gjerë.