Mes rrënojave të tragjedisë ajrore që ndodhi mëngjesin e sotëm në Ahmedabad, një zhvillim i papritur ka sjellë një grimë shprese: autoritetet kanë konfirmuar se një person ka mbijetuar nga përplasja e avionit “Air India” Boeing 787-8 Dreamliner.
Sipas informacioneve të fundit, 40-vjeçari Vishwash Kumar Ramesh është nxjerrë i gjallë nga vendi i ngjarjes dhe po trajtohet aktualisht në Spitalin Civil të Asarwa-s.
Gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë ende publike, por burime spitalore kanë konfirmuar se ai ndodhet nën kujdes intensiv.
Ky përjashtim nga raportimet fillestare, ku u deklarua se nuk kishte asnjë të mbijetuar, ka marrë vëmendje të gjerë në rrjetet sociale dhe është pritur me reagime të shumta.
Kujtojmë se aksidenti ndodhi vetëm pak minuta pas ngritjes së avionit nga aeroporti i Ahmedabad, kur avioni humbi kontrollin në një lartësi prej 190 metrash dhe u përplas në një zonë të banuar. Në bord ndodheshin 244 persona.
Hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë, ndërsa autoritetet janë ende në proces identifikimi të viktimave.
Të gjitha vëmendjet janë përqendruar tani edhe tek rrëfimet e mundshme që mund të japë i mbijetuari i vetëm për momentin, i cili mund të ndihmojë në zbardhjen e asaj çfarë ndodhi në minutat e fundit të fluturimit.