Këngëtari amerikan i “Country”, Conner Smith, është përfshirë në një aksident tragjik automobilistik në fundjavë në Nashville.
Mediat e huaja shkruajnë se këngëtari ka përplasur për vdekje një grua që po kalonte në vijat e bardha.
Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën, më 8 qershor, kur 24-vjeçari po drejtonte një makinë tip “Chevrolet Silverado” dhe përplasi 77-vjeçaren, Dorothy Dobbins.
Viktima po kalonte rrugën në një zonë të shënuar për këmbësorë, sipas një deklarate nga Policia Metropolitane e Nashville-it.
Dobbins, që banonte pranë vendit të ngjarjes, u transportua menjëherë në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt, ku më vonë ndërroi jetë.
Sipas policisë, faktori paraprak që çoi në aksident ishte “mosdhënia e përparësisë ndaj këmbësores” nga ana e Smith. Autoritetet shtuan se ai “nuk paraqiste shenja të dëmtimit nga substanca”.
Hetimet mbi aksidentin vazhdojnë dhe për momentin nuk është ngritur asnjë akuzë ndaj këngëtarit.