Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Milanos në orët e para të mëngjesit, ku një grua humbi jetën në mënyrë tragjike, pasi u hodh nga dritarja e apartamentit në përpjekje për t’i shpëtuar flakëve që kishin përfshirë banesën.
Viktima është identifikuar si Sueli Leal Barbosa, 48 vjeçe, e cila ndodhej e vetme në shtëpi në momentin e shpërthimit të zjarrit në apartamentin e saj në katin e katërt, në Via Abruzzi 64.
Sipas autoriteteve italiane, zjarrfikësit dhe shërbimet emergjente mbërritën menjëherë në vendngjarje, por gruaja kishte marrë dëmtime të rënda pas hedhjes dhe ndërroi jetë disa orë më vonë në spital.
Fqinjët raportuan se kishin dëgjuar zhurma dhe shpërthime të forta përpara se të shihnin gruan duke u hedhur nga dritarja e apartamentit që shihte nga oborri i brendshëm i pallatit.
Flakët kishin përfshirë të gjithë katin, ndërsa dera e banesës, sipas burimeve të para të hetimit, ishte e mbyllur nga jashtë – një detaj kyç që ka vënë në lëvizje hetuesit për një pistë të mundshme penale.
Partneri i viktimës, një 45-vjeçar me profesion piktor, nuk ndodhej në apartament në momentin e ngjarjes.
Ai është gjetur më vonë në një bar aty pranë dhe është shoqëruar për deklarim në Departamentin e Policisë në Milano. Autoritetet po hetojnë nëse ai ka pasur ndonjë lidhje me zjarrin apo me rrethanat që çuan në mbylljen e derës nga jashtë.
Mediat italiane raportojnë për konflikte të vazhdueshme mes çiftit, për të cilat policia kishte ndërhyrë edhe më herët.
Dy persona të tjerë në ndërtesë janë dërguar në spital me lëndime të lehta për shkak të tymit dhe tronditjes, ndërsa shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë.