Një ngjarje tronditëse ka goditur komunitetin e Wenatchee në shtetin e Uashingtonit, SHBA, ku tre vajza të mitura – Paityn (9), Evelyn (8) dhe Olivia (5) – u gjetën të pajeta në një kamp në zonën rurale të Leavenworth, rreth 38 milje nga shtëpia e tyre.
Autoritetet amerikane dyshojnë se ato janë mbytur nga babai i tyre, Travis Decker, i cili ndodhet në arrati dhe konsiderohet i rrezikshëm për shkak të përgatitjes së tij ushtarake.
Ndërkohë nëna e vajzave, Whitney Decker, përmes avokates së saj, ka deklaruar se kishte paralajmëruar autoritetet për rrezikun e mundshëm, pasi Decker nuk i kishte kthyer vajzat pas vizitës së planifikuar të premten.
Ajo kishte kërkuar lëshimin e një Amber Alert, por policia e kishte refuzuar duke thënë se rasti nuk përmbushte kriteret.
Vajzat u gjetën të lidhura dhe të mbytura me qese plastike. Sipas dokumenteve të gjykatës, Whitney kishte shprehur më parë shqetësime për gjendjen mendore të Decker, i cili ishte diagnostikuar me çrregullim të stresit post-traumatik kompleks (PTSD) dhe çrregullim të personalitetit kufitar (BPD), por nuk dihej nëse ai po merrte trajtim.
Travis Decker, 32 vjeç, veteran i luftës në Afganistan dhe anëtar i Gardës Kombëtare të Uashingtonit, ka qenë subjekt i disa shqetësimeve të mëparshme për sjellje të paqëndrueshme dhe strehim të papërshtatshëm për fëmijët.
Megjithatë, sipas nënës, ai nuk kishte dhënë më parë shenja të drejtpërdrejta se mund të ishte i dhunshëm me fëmijët.
Autoritetet amerikane kanë lëshuar një urdhër arresti për Decker, i cili akuzohet për tre vrasje të shkallës së parë dhe rrëmbim të fëmijëve, ndërsa US Marshals kanë ofruar një shpërblim deri në 20,000 dollarë për informacion që çon në kapjen e tij.
Sipas zyrtarëve, Decker është i aftë të mbijetojë në kushte ekstreme, duke qenë se është trajnuar si Ranger me aftësi të avancuara për mbijetesë dhe fshehje në terren.