Ukraina ka ndërmarrë një tjetër sulm të targetuar ndaj objektivave strategjike ruse, këtë herë duke goditur sërish Urën e Kerçit, që lidh territorin e Rusisë me Gadishullin e Krimesë.
Sulmi është konfirmuar nga autoritetet ukrainase, të cilat bëjnë me dije se është përdorur një mjet nënujor shpërthyes.
Sipas informacioneve të publikuara nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, operacioni është përgatitur për disa muaj dhe është ekzekutuar gjatë orëve të para të mëngjesit.
Menjëherë pas shpërthimit, autoritetet ruse urdhëruan pezullimin e trafikut në urë, e cila është një arterie kyçe për furnizimet ushtarake dhe lëvizjen logjistike drejt Krimesë.
Burime nga pala ruse kanë konfirmuar se ka pasur dëme në strukturë, ndërsa trafiku është ndërprerë disa herë për arsye sigurie.
Ura, e ndërtuar pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, është goditur edhe më parë nga Ukraina – në vitin 2022 dhe sërish në 2023 – dhe mbetet një nga simbolikat më të forta të kontrollit rus në gadishullin e aneksuar.
Moska deri më tani nuk ka dhënë një reagim të detajuar për dëmet e këtij sulmi të fundit, por situata në terren mbetet e tensionuar, ndërkohë që pritet një përgjigje zyrtare në orët në vijim.
Sulmi në Urën e Kerçit shihet si një tjetër sinjal i qartë i vendosmërisë së Ukrainës për të goditur infrastrukturën strategjike ruse në kuadër të luftës që vijon prej më shumë se dy vitesh.