Jo më martesa mes kushërinjve dhe personave nën moshën 18-vjeç: Ky është ligji i ri që pritet të hyjë në fuqi para muajit gusht në Austri.
Aktualisht, personat mbi 16 vjeç në Austri mund të martohen nëse një gjykatë i shpall të aftë për martesë dhe nëse marrin pëlqimin e përfaqësuesit ligjor.
Por me ndryshimet e reja, këto përjashtime do të shfuqizohen. Martesa dhe partneriteti i regjistruar do të lejohen vetëm për personat që kanë mbushur moshën 18 vjeç.
Ministrja Sporrer theksoi se qëllimi i ligjit është të mbrojë të rinjtë nga presioni i hershëm për të hyrë në angazhime të përhershme si martesa, sidomos kur janë ende në faza të rëndësishme të arsimimit apo zhvillimit profesional.
“Sa më herët të lidhet një martesë, aq më i madh është presioni apo detyrimi që shoqëron një vendim të tillë,” tha ajo, duke iu referuar edhe ndikimit të shtatzënive të hershme në vendime të ngutura.
Martesat ndërmjet të afërmve do të ndalohen me ligj
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm parashikon ndalimin e martesave ndërmjet të afërmve deri në shkallën e katërt të vijës anësore.
Kjo do të thotë se martesat midis kushërinjve të parë apo lidhje të ngjashme familjare, si ajo ndërmjet një xhaxhai dhe mbesës, do të jenë të ndaluara me ligj.
Prokuroria do të ketë gjithashtu të drejtën të kërkojë anulimin e një martese ose partneriteti të regjistruar që bie në kundërshtim me këto dispozita.