Një incident i rëndë ndodhi gjatë fundjavës në një lagje të qetë në periferi të Çikagos, kur një kamion shpërtheu papritur duke shkaktuar dëme në disa banesa dhe duke plagosur drejtuesin e mjetit.
Ngjarja u regjistrua në qytetin Addison, rreth 30 kilometra në perëndim të Çikagos, ku autoritetet lokale njoftuan se shpërthimi ishte aksidental dhe ishte shkaktuar nga rrjedhja e një bombole propani që ndodhej brenda në kamionin tip “box truck”, me qira.
Pamje të kapura nga kamera sigurie në zonë tregojnë momentin e frikshëm kur kamioni, që po udhëtonte në një rrugë rezidenciale, shpërthen në mënyrë të menjëhershme.
Sipas Departamentit të Policisë në Addison, shpërthimi dëmtoi disa shtëpi, por fatmirësisht nuk pati viktima. Drejtuesi i mjetit mbeti i plagosur lehtë dhe u dërgua në spital për trajtim.
Kamioni në fjalë ishte marrë me qira nga kompania Penske, e cila konfirmoi se mjeti ishte përdorur për transportimin e sendeve shtëpiake.
Në një deklaratë për mediat, kompania u shpreh se do të bashkëpunojë plotësisht me hetimet dhe rikujtoi se sipas marrëveshjeve të saj të qirasë, ndalohet rreptësisht transportimi i materialeve eksplozive, të ndezshme apo të rrezikshme me këto mjete.