Aktori legjendar, Robert De Niro, ka thyer heshtjen për herë të parë pas lajmit që bëri xhiron e rrjeteve sociale: tranzicioni gjinor i djalit të tij në vajzë, Airyn De Niro.
Në një deklaratë të shpërndarë përmes TMZ, De Niro u shpreh me qartësi dhe ndjeshmëri për situatën, duke treguar mbështetjen e pakushtëzuar për djalin e tij, tashmë vajzë, dhe për vendimin e saj për të jetuar hapur dhe me identitetin e saj të vërtetë.
“E kam dashur dhe mbështetur Aaron-in si djalin tim, dhe tani e dua dhe e mbështes Airyn-in si vajzën time,” — tha aktori 81-vjeçar, duke theksuar se dashuria prindërore nuk njeh kushte dhe nuk ndryshon me kohën.
Duke qenë baba i shtatë fëmijëve, De Niro theksoi rëndësinë e të kuptuarit të vetes dhe të autonomisë personale, veçanërisht teksa fëmijët rriten dhe zbulojnë më qartë kush janë vërtet.
Ai gjithashtu kritikoi ashpër mediat për mënyrën se si u trajtua lajmi, duke e cilësuar si ndërhyrje të panevojshme në një çështje thellësisht personale.
“Nuk shoh asnjë problem, dhe nuk kuptoj pse mediat duhet të japin opinione apo të ndërhyjnë në gjëra kaq intime për të,” — u shpreh De Niro.
Në fund të reagimit të tij, aktori i njohur bëri thirrje për respekt ndaj privatësisë së Airyn dhe kujtoi opinionin publik për një vlerë themelore që shpesh neglizhohet në debate të tilla:
“Liria e shprehjes është një e drejtë themelore e çdo qytetari.”