Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se ka plagosur rëndë bashkëshorten e tij dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Ngjarja nisi pranë një klinike dentare, ku sipas burimeve, burri e ka goditur me thikë gruan e tij, një personazh i njohur në rrjetet sociale. Më pas ai është larguar drejt banesës së tij në rrugën “B”, ku policia e ka gjetur të pajetë, me plagë të rënda të vetëshkaktuara.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin, ndërsa mësohet se i ndjeri, me inicialet F.I., ishte një stilist i njohur.
Sipas zëdhënëses së Policisë, Flora Ahmeti:
“Rreth orës 15:00 është raportuar për dy persona të lënduar në një ndërtesë në rrugën ‘B’ në Prishtinë. Me të mbërritur në vendngjarje, është konstatuar vdekja e një mashkulli 34-vjeçar, ndërsa femra 30-vjeçare është dërguar për trajtim mjekësor.”
Motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë mbetet ende i paqartë, ndërsa hetimet janë në vijim. Gjendja e të plagosurës është aktualisht nën vëzhgim mjekësor.