Një burrë që u kthye nga kufiri i vdekjes ka rrëfyer përvojën që e ndryshoi përgjithmonë.
Teologu Steve Kang thotë se kaloi tetë orë në atë që ai e përshkruan si ferr, ndërsa mjekët luftonin për jetën e tij. “Nuk është një vend ku dëshiron të shkosh. Madje as Kim Jong-il apo Hitlerin nuk do doja t’i shihja atje. Nuk ia uroj as armiqve të mi më të këqij,” tha ai.
Steve kishte vite që përballej me varësinë nga droga, duke përdorur substanca si metamfetaminë, ekstazi dhe një përzierje vdekjeprurëse. Në një moment shumë të errët, ai u përpoq të merrte jetën e tij, duke thënë se një “frymë e keqe” e shtyu të godiste veten me thikë.

Ndërsa mjekët përpiqeshin të shpëtonin jetën e tij nga dëmtimet e rënda që i kishte shkaktuar vetes, Steve thotë se u gjend në një vend të frikshëm dhe të errët. Duke folur për “Daily Mail”, ai rrëfeu: “Nuk ishte aspak vend i këndshëm. Nuk kishte dritë, nuk kishte bimë. Nuk mbaj mend të kem parë as një fije bari. Vetëm një tokë shkëmbore.”
Ai kujton një zinxhir të madh të ngulur në mishin e tij dhe praninë e shumë njerëzve të tjerë që vuajtën tmerrësisht rreth tij.
Në këtë skenë të përgjakur, ai pa figura të mëdha me mantela të zinj që dukeshin sikur gjykonin shpirtrat e munduar. “Ishin krijesa gjigande, tri, katër, pesë kate të larta. Qenie shumë të mëdha,” tha ai.
Në një intervistë me podkasterin Vlad Savchuk, Steve tregoi përvojën e tij afër vdekjes që i ndryshoi jetën. I rritur si budist dhe pa besim në ekzistencën e ferrit, ai thotë se gjatë kësaj përvoje pati një “ndjesi mbinatyrore”.
“Dhimbja ishte aq e madhe, sa nuk mund t’i flisje askujt përreth. Nuk pyesje dot ‘Si je? Si e ke emrin?’ – thjesht vuaje në heshtje,” tregoi ai. “Për herë të parë në jetën time ndjeva se isha mëkatar, se e meritoja të isha atje sepse isha njeri i keq.”
Steve besonte se do të mbetej përgjithmonë në atë vend. “Mendova: Nuk do dal kurrë më nga këtu,” kujton ai. Edhe pse përvoja zgjati fizikisht tetë orë, për të ndjeu se kaluan vetëm pak minuta.
Në mes të dhimbjes së tij, nëna e Steve kontaktoi të vetmen mike të saj të krishterë — e cila ishte njëkohësisht shpërndarësja e drogës së djalit — për të organizuar një grup lutjesh për të.
Sipas Steve, nuk ishin vetëm përpjekjet e mjekëve ato që e shpëtuan, por lutjet që e sollën sërish në jetë. “Ata nisën të luten, dhe më vonë mjeku tha se kjo ishte një mrekulli,” kujton ai.
Ai përjetoi një paqe të thellë dhe ndjeu Jezusin që e thërriste të kthehej në jetë.
Pas kësaj përvoje të jashtëzakonshme, Steve hoqi dorë nga besimi budist dhe sot është pastor i kishës “LA Gospel Community Church” në Los Angeles, Kaliforni.