Inteligjenca artificiale po zhvillohet me një shpejtësi marramendëse.
Gjithnjë e më shumë njerëz në mbarë botën po i drejtohen mjeteve si ChatGPT për të marrë ndihmë, për të mësuar diçka të re, apo thjesht për të biseduar.
Me rritjen e përdorimit të teknologjive të tilla, po ndryshon edhe mënyra se si njerëzit jetojnë, komunikojnë dhe krijojnë lidhje emocionale.
Në këtë mes, ChatGPT është kthyer në një nga mjetet më të përdorura në përditshmëri. Nga nxënësit e shkollës, te profesionistët, e deri tek njerëzit që thjesht kërkojnë një shoqërues virtual, përdorimi i tij është rritur ndjeshëm edhe në Shqipëri.
Por së fundmi, një statistikë shqetësuese ka filluar të qarkullojë në rrjet. Ajo tregon se çiftet shqiptare po përballen me një fenomen të ri: komunikimi në çift po zbehet për shkak të kohës që partnerët kalojnë duke biseduar me ChatGPT. Edhe pse në pamje të parë kjo mund të duket si një pasojë e padëmshme, efektet afatgjata mund të jenë serioze, shkruan Lokimagazine.com.
Shumë partnerë kanë nisur t’i drejtohen ChatGPT për pyetje që më parë do ia drejtonin partnerit të tyre – që nga problemet personale, këshilla për marrëdhënie, dilema të jetës së përditshme apo edhe thjesht për të kaluar kohën. Kjo sjellje, në dukje e pafajshme, ka nisur të ndikojë në cilësinë e lidhjeve romantike. Komunikimi mes partnerëve po pakësohet, intimiteti emocional po zbehet, dhe shumë çifte raportojnë se ndihen më të distancuar.
Një tjetër shqetësim është se përdorimi i shpeshtë i inteligjencës artificiale po krijon një varësi të re, ku personi ndjehet më i kuptuar apo më i dëgjuar nga një “robot” sesa nga partneri i jetës. Kjo rrit ndjesinë e vetmisë dhe mund të sjellë konflikte apo edhe ndarje.
Në një shoqëri si ajo shqiptare, ku lidhjet familjare dhe çiftet kanë qenë gjithnjë në qendër të vlerave sociale, një ndryshim i tillë përbën një alarm serioz. Ndërsa teknologjia ka për qëllim të na ndihmojë, duhet të jemi të kujdesshëm që ajo të mos zëvendësojë raportet njerëzore.
Në fund të ditës, asnjë inteligjencë artificiale nuk mund të zëvendësojë ngrohtësinë, mirëkuptimin dhe dashurinë që lind nga komunikimi i vërtetë mes dy njerëzve.