Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse që ka ndodhur 7 vite më parë në Voskopojë, është rikthyer në vëmendje pas zhvillimeve të fundit në Gjykatën e Korçës.
Ajo që fillimisht u regjistrua si një vetëvrasje, është zbardhur tashmë si një vrasje e mirëorganizuar.
Antonio Karafili, i cili u gjet i varur me një çarçaf në një pemë në periferi të Voskopojës, mendohej se i kishte dhënë fund jetës. Por pas hetimeve të zgjatura dhe analizimit të provave të reja, Prokuroria e Korçës ka konkluduar se në fakt ai ishte vrarë nga e dashura e tij, Kejsi Spahillari, dhe një person tjetër, Rexhep Vathi.
Dyshohet se Kejsi dhe Rexhepi, të përfshirë në një marrëdhënie paralele, kanë planifikuar vrasjen dhe më pas kanë simuluar një skenë vetëvrasjeje për të fshehur krimin.
Pas ngjarjes, Kejsi është larguar drejt Kanadasë, ku më pas ka krijuar një familje të re. Ndërkohë, në vitin 2024, bashkëpunëtori i saj i dyshuar, Rexhep Vathi, i dha fund jetës me vetëvrasje.
Prokuroria ka lëshuar urdhër-arrest për Kejsin dhe gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg në mungesë” për akuzën e **vrasjes me dashje në bashkëpunim**. Pritet gjithashtu që ndaj saj të shpallet një urdhër arresti ndërkombëtar për ta sjellë para drejtësisë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin lokal dhe ngre shqetësime mbi trajtimin fillestar të rasteve të dyshimta si vetëvrasje.