Të marrësh një vendim nëse duhet ta mbash të gjallë me aparatura jetësore dikë që e dashuron, kur gjendja e saj është e rëndë, është një nga vendimet më të vështira që mund të marrësh ndonjëherë.
Ryan Finley është një burrë që u detyrua të marrë një vendim të tillë pasi gruaja e tij, Jill, ra në koma.
Ishte Ryan ai që e gjeti Jill pa ndjenja dhe pa frymëmarrje. Ai vrapoi drejt saj dhe bëri gjithçka që mundi për ta rikthyer në vetëdije derisa arritën paramedikët. Madje, ai i dha frymëmarrje artificiale dhe u lut për një rezultat pozitiv, edhe pse e dinte që shanset ishin të pakta.
Parmedikët arritën ta rikthenin Jill në jetë, por zemra e saj ishte e dobët dhe frymëmarrja e ngadaltë. Ajo u dërgua në Spitalin e Zemrës në Oklahoma dhe u vendos në një dhomë që ulte temperaturën e saj për të minimizuar dëmin në trurin që kishte mbetur pa oksigjen. Fatkeqësisht, ajo ra në koma.
Ryan lutej çdo ditë. Ai kurrë nuk humbi shpresën, por ditët u shndërruan në javë dhe atij iu tha se shanset e Jill ishin pothuajse zero. Mjekët i kërkuan që të konsideronte heqjen e aparaturave që e mbanin gjallë.
Ai shkroi për atë ditë në ditarin e tij dhe fjalët e tij janë vërtet prekëse.
“Sot mund të jetë dita më e keqe e jetës sime. Në thelb duhet të vendos nëse ajo do të jetojë apo jo,” shkroi Ryan, sipas revistës TODAY. Ai u përpoq të vinte veten në vend të Jill dhe besoi se ajo nuk do të donte të jetonte në atë gjendje, ndaj bëri zgjedhjen.
E gjithë familja i dha lamtumirën dhe, në momentin që aparatura u ndalua, Jill ishte ende aty. Mjekët shpjeguan se ajo nuk do të vdiste menjëherë, pasi ishte në “valën e fundit”.
Në atë çast, Jill filloi të mërmëriste. Në habinë e burrit të saj, që po përjetonte dhimbje të madhe, ajo i tha ta nxirrte nga aty dhe ta çonte te Melting Pot ose te Ted’s – dy nga restorantet e saj të preferuara meksikane.
Ryan e dinte se e dashura e tij do të mbijetonte, pavarësisht se sa çmendur tingëllonte kjo. Dhe kishte të drejtë. Jill filloi të merrte frymë vetë, kaloi një operacion në zemër dhe më pas një rehabilitim të plotë.
Duke folur për kohën që kaloi në koma, Jill shpjegoi se nuk mbante mend asgjë, por kishte probleme me kujtesën afatshkurtër dhe shqiptimin e disa fjalëve. Përndryshe, ajo ndihej mirë dhe ishte gati të kapte këtë shans të dytë që Zoti i kishte dhënë.
Çifti është falenderues që janë ende bashkë dhe më të fortë se kurrë më parë. “Ne çmojmë çdo ditë, çdo minutë, çdo orë tani,” tha Jill për TODAY. “Jo se më parë nuk e bënim, por tani çdo gjë merr një kuptim tjetër.”