Amarda Toska, e ftuar në podkastin “Mam” me Orinda Hutën, foli ndër të tjera për një abort spontan që ka pësuar.
Ajo rrëfeu se kur ishte në “Dancing With the Stars” ishte 3-muajshe shtatzënë.
Ajo u tërhoq nga spaktakli, ku ishte edhe moderatore dhe për herë të parë zbuloi se arsyeja ishte shtatzënia. “Ishte pikërisht natën finale të “Dancing With the Strars” kur isha 3-muajshe shtatzënë”, u shpreh Ami, duke vijuar se nuk e ka ndarë me publikun ngjarjen, pasi shtatzënia nuk shkoi ashtu siç duhet.
“E kishim me planifikim në fakt. Ndodhi shumë shpejt se kur e ke të parin nuk e di si do e fillosh. Ishte fiks tremujori i “Dancing”, mirëpo shtatzënia e parë nuk shkoi siç duhet. Jeta shkonte normalisht, unë nuk u rezervova në aktivitetet që bëja. Sigurisht, isha e kujdesshme, por nuk u rezervova për shkak edhe të punës”, u shpreh Ami.
Më tej, vijoi:
“Momentin e parë të shtatzënisë që nuk u çua deri në fund nuk e mbaj mend fare”, tha moderatorja, duke thënë se i është fshirë përjetimi dhe emocioni që ka ndjerë.
“Mbaj mend vetëm fundin dhe fillimin e një periudhe të re”.
Amarda shtoi se ka një lodër që ia kujton atë periudhë të vështirë:
“Kam pasur vetëm një lodër, një rrake për fëmijët. Ishte kot, për qejf dhe unë atë rraken ia kalova fëmijëve dhe ajo ma kujton atë periudhë”.
Më pas, foli për shqetësimet që pati dhe arsyet pse dyshon se ka ndodhur aborti spontan:
“Dy ditë para natës finale unë pata ca shqetësime. Nuk mund të them se cili ishte shkaku, por unë mendoj se ishte pak ngarkesa e atyre ditëve dhe qëndrimi mbi taka, sepse edhe provat që bëheshin ishin me kostum dhe taka. Ishin shumë orë të gjata në ditë të ngjeshura, sepse kishim edhe xhirime ekstra. Edhe puna në biznes vazhdonte njësoj si rutina e zakonshme, sepse nuk ka pse të ndalojë dhe e kam vërtetuar me të dyja shtatzënitë. Megjithatë, ndodhi”.
Ajo vijoi se mjeku e këshilloi që të bënte regjim shtrati dhe ajo mori përsipër të vijonte pjesëmarrjen në “Dancing With the stars”.
“Kur vendosesh para këtyre zgjedhjeve të përmbyset bota, por duhet të marrësh një vendim. U konsultova edhe me producenten”, u shpreh ajo dhe më tej, shtoi se ka ndërmarrë vendimin e duhur.
Ami tha se ishte një periudhë kaotike në jetën e saj që nuk e çoi përpara një bekim. Ajo tha se ndjeu shumë keqardhje dhe se ka qarë shumë.
“Unë vazhdova regjimin e shtratit dhe nuk ia dola dot. Një ditë të bukur pata rrjedhjen e ujërave në mënyrë spontane edhe pse e kisha bërë regjimin për mbi dy javë dhe kaq, kur ndjeva që më rrodhën ujërat thashë se diçka nuk është mirë. Shkova menjëherë te mjeku dhe aty më tha që çdo gjë ka përfunduar. Ishte një tentativë për të shpëtuar një jetë, por gjërat nuk i kemi në dorë.”
Amarda dhe Ermali sot kanë 2 fëmijë, djalin Joel dhe vajzën Sia.