Të bësh emisione për klikime është një trend (aspak i mirë) që nisi në Shqipëri para ca kohësh, por kur duket se këtu gjëndja është “qetësuar” disi dhe televizioni po përpiqet të fitojë atë lavdinë e dikurshme, në Kosovë programet e këtij lloji kanë kaluar në nivel tjetër.
Bëhet fjalë kryesisht për emisione që imitojnë në një farë mënyre formatet e suksesshme “reality” duke nisur nga Për’puthen, Big Brother apo talent show të ndryshëm, ndërsa pjesëmarrësit në to, ngjarjet dhe mënyra si organizohen lënë shumë për të dëshiruar.
Një program i tillë ka nisur në një televizion të vogël në Kosovë së fundmi, quhet “It’s my home” dhe është një rikrijim në tentantivë i “Kafazit të Artë” të dikurshëm.
Personazhet e famshëm (të pafamshëm) që bëjnë pjesë aty, janë vënë në qendër të vëmendjes sot në rrjetet sociale, jo se kanë bërë ndonjë gjë interesante, por po qarkullon një video ku gjatë një debati tepër konstruktiv (aspak) një djalë godet me shapkë një vajzë në fytyrë.
Pas kësaj shihet që vajza qan, djali shkon thjesht të marrë shapkën, ndërkohë një tjetër video tregon se pas këtij episodi ka pasur edhe një tjetër moment konfrontimi, akoma më skandaloz.
Nuk e dimë se cfarë i duhet më shumë Autoritetit Audioviziv në Kosovë që të marrë masa apo të paktën të reagojë, por sic e shihni edhe vetë jemi në stadin më trash se “trash”-i dhe sigurisht kjo nuk i sjell asnjë të mirë as televizionit që e realizon, as këtyre njerëzve që janë pjesë aty (se po dhunohen) as medias, e aq më tepër publikut, që mund të përfshijë edhe shumë fëmijë.
Burimi: /News-31