Në “Natën me Aulonën” ishte i ftuar Robert Aliaj Dragot, artisti më konfliktual në Shqipëri, sipas Aulona Mustës.
Aulona e nisi menjëherë intervistën me një pyetje mjaft i interesante, ajo iu drejtua artistit me pyetjen: “Ke qenë ndonjëherë tek psikologu?”
“Jo. Kam një jetë që e kam përcaktuar vetë dhe është ashtu siç është, nuk ka rënë rasti të shkoj”- u përgjigj Aliaj.
Më pas, ai u shpreh se televizioni është një nga ato vende që shet pa frikë prostitucion dhe se risku për të që është pjesë e saj është shumë i lartë.
“Televizioni shet pa frikë prostitucion çdo ditë. E ke të mbushur fare! Ne i çojmë nëpër sofra njerëzve imoralitet pa fund. Vishemi si ato vajzat e trotuareve dhe ja nxjerrim njerëzve në darkë, njerëzve që shohin televizor se nuk kanë jetë. Televizioni e di çfarë është: është opsion i dytë për njerëzit këtu në Shqipëri, ku nuk ka jetë kulturore, ku ti nuk ke ku shkon, televizioni është solucioni si në kohën e diktaturës. Televizoni duhet të ketë brenda edukimin, ndërkohë këtu nuk ka fare lidhje me edukimin”- u shpreh artisti i njohur.
Aulona përmendi faktin se Roberti është edhe vetë pjesë e televizonit dhe pjesë e një televizioni që ai vazhdimisht e etiketon si të pamoralshëm, e shumë njerëz mund të thonë pse ndodhet këtu.
“Ti e thua vazhdimisht këtë gjë, e megjithatë prej vitesh ti je vetë pjesë e televizonit dhe pjesë e një televizoni të cilin ti vazhdimisht e etiketon si të pamoralshëm. Pra, shumë njerëz mund të thonë që pse je këtu”- pyeti Musta.
“Këtë nuk kuptojnë njerëzit, unë nuk është se e etiketoj atë televizion ku jam, unë etiketoj televizionin në përgjithësi si fenomen. Pikërisht se jam aty risku im është shumë i madh. Kompromiset që unë duhet ti injoroj aty janë të mëdha fare dhe çfarë mund të humbas unë është gjithçka dhe unë nuk bëj kompromis me këtë gjë”- tha Aliaj.
Ai gjithashtu, tha se është censuruar disa herë dhe i ka ndodhur edhe të mos futet në televizion për dy vjet.