Pas 12 vitesh Shakira dhe Pique i japin fund lidhjes? Ja detajet që ngritën dyshimet

Mund të jenë thjesht thashetheme, por prej disa ditësh kanë filluar të shtohen informacionet dhe detajet që flasin për një ndarje të munshme mes Gerard Pique dhe Shakiras.

Një shembull i kësaj është artikulli i publikuar nga Emilio Pérez de Rozas në gazetën El Periódico , me titullin “A e keni lexuar këngën e fundit të Shakirës?” , ku gazetari veteran ofron disa hipoteza që sugjerojnë se marrëdhënia mes çiftit nuk po kalon aspak mirë.

Gazetari thekson se Piqué ka kaluar netë i vetëm në banesën e tij të vjetër.

“Gjithçka duket se tregon se marrëdhënia sentimentale, në çift, mes Shakirës dhe Piqué po kalon një nga momentet e saj më të këqija që kur u takuan në vitin 2010. Ka nga ata që kanë parë prej disa javësh kapitenin e Barçës duke jetuar sërish, duke kaluar netë e ditë, në banesën e tij të vjetër në rrugën Muntaner, ngjitur me Plaza Adrià”, shkruan Pérez.

Gjithashtu, gazetari ka vëzhguar profilin e Shakirës në rrjete sociale. Ai thekson se këngëtarja nuk ka publikuar foto prej muajsh me Piqué.

Më tej, ai shkruan se postimi i fundit i dyshes ka qenë që më 21 mars.

Pérez thekson se kënga e fundit e artistes mund të tregojë edhe si lidhja e saj me Piqué po shkon në këto momente.

Lidhur me gjithë këto aludime, deri më tani nuk ka asnjë reagim nga dyshja e njohur.