Romeo dhe Donald Veshaj kanë publikuar së fundmi këngën “Picasso”. Ndonëse nuk ka kaluar shumë kohë nga publikimi, ky projekt muzikor ka patur shumë reagime nga publiku.
Por mesa duket reagimeve negative nuk u ka ardhur fundi pasi vëllezërit Veshaj së shpejti do të përballen me një padi.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook avokati korçar, Esmerald Xhafa është shprehur:
“Kush ka lek, pordhë por nuk ka mend mund të prenotojë kundrejt pagesës që edhe fejesat apo martesat ti organizojë tek Muzeu i Artit Mesjetar.
Shumë shpejt besoj ditën e nesërme do depozitoj kallëzim penal për personat përgjegjës për këtë turp.”
Xhafa ka paralajmëruar një padi kundrejt këngëtarëve duke thënë se do të përballen me drejtësinë. Njëkohësisht ka bërë të ditur se do të padisë ministrinë e Kulturës, Drejtorin e muzeut kombëtar të Artit Mesjetar si dhe Drejtorin e Muzeut të Fotografisë, Gjon Mili.
Sipas pretendimeve të avokatit, regjistrimi i videoklipit të këngës “Picasso” i bërë në Muzeun Mesjetar të Korçës ka dëmtuar ikonat.
Xhafa thotë se Veshajt, Elgiti por edhe organizatorët duhet të mbajnë përgjegjësi administrative sipas parashikimit të ligjit për dëmtimin e trashëgimisë kulturore të muzeut.
E gjithë polemika dhe padia e avokatit vjen pasi në videoklip ka pasur skena të vëllezërve Veshaj dhe Elgit Dodës, të xhiruara në Muzeun e Korçës para ikonave të kishës.