Mbrëmjen e sotme në “Post Big Brother VIP” është rihapur një nga temat më të nxehta dhe më të komentuara të këtij edicioni: dinamika mes Selinës dhe Mirit, si dhe reagimet e forta që kjo situatë shkaktoi jashtë shtëpisë.
Gjatë emisionit, produksioni ka rikthyer në vëmendje një postim të bujshëm që bashkëshortja e Mirit kishte bërë në rrjetet sociale gjatë një prej netëve të spektaklit.
Në atë video, ajo i drejtohej drejtpërdrejt Selinës me një mesazh mjaft të prerë:
“Ti do të kapësh prime-n në kurriz të martesës sime, por unë kapa zemrën e burrit tim para një dekade.”
Pasi u përball me këtë deklaratë në studio, Selin u pyet nga moderatori nëse e kishte parë këtë video pas daljes nga shtëpia. Me një qetësi dhe sportivitet të habitshëm, fituesja e “BBVA 5” zgjodhi të mos i hidhte benzinë zjarrit.
Ajo e mirëkuptoi veprimin e bashkëshortes së Mirit si një reagim instinktiv, ndërsa zbuloi për herë të parë detaje nga takimi i tyre i vërtetë pas përfundimit të finales.
“Nuk e kam parë. Është ok, është një reagim momental, në mbështetje të partnerit të vet. Unë dua ta mbaj mend për qasjen që ka patur ndaj meje në natën finale. Më dha dorën, i dhashë dorën, i takova vajzën. Ishte një takim njerëzor dhe i qetë.”
Me këto fjalë, Selin duket se ka zgjedhur të mbyllë përfundimisht këtë kapitull polemikash, duke theksuar se përtej debateve apo situatave të krijuara brenda lojës, përballja në jetën reale ka qenë e mbushur vetëm me qytetari dhe respekt të ndërsjellë.
