Situata alarmante që përfshiu “Ferma VIP” mbrëmjen e djeshme, ku banorët shpërthyen në ulërima për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të qenushit Stormi, ka marrë vëmendjen kryesore në prime-in e sotëm.
Ndonëse fatmirësisht qenushi e ka kaluar rrezikun dhe tashmë ndodhet në gjendje të mirë pas trajtimit të specializuar, produksioni ka marrë një vendim drastik.
Për shkak të neglizhencës dhe mungesës së kujdesit të duhur nga ana e fermerëve, u njoftua se Stormi nuk do të rikthehet më brenda ambienteve të fermës.
Por, pasojat për banorët nuk kanë përfunduar me kaq. Për t’i ndëshkuar për këtë papërgjegjshmëri, Agai ka vendosur një masë mjaft të veçantë penalizimi.
Ka qenë moderatorja Arbana Osmani ajo që u ka përcjellë drejtpërdrejt lajmin fermerëve, duke lexuar vendimin e padiskutueshëm të produksionit:
“Po ju komunikoj vendimin e Agait për ditët në vijim. Herë pas here përgjatë qëndrimit tuaj në fermë, ju do të duhet të komunikoni me gjuhën e kafshëve. Që do të thotë, kur të dëgjoni një tingull të caktuar, çfarëdo që të jeni duke bërë, cilido qoftë diskutimi apo përkëdhelia, në atë çast ju duhet të komunikoni me gjuhën e kafshëve.”
Ky dënim specifik jo vetëm që pritet të prodhojë situata tepër komike dhe të sikletshme për fermerët në ditët në vijim, por vjen kryesisht si një leksion i fortë për përgjegjësinë që kërkon kujdesi ndaj kafshëve.
