Lëvizja e parë e Brikenës pas BBVA flet qartë për raportin me Mateon

Mbrëmja e djeshme në “Big Brother VIP Albania 5” ka qenë padyshim një nga më të tensionuarat, duke lënë jashtë finales një nga protagonistet më të forta të këtij sezoni.

Në një përballje të ashpër “kokë më kokë”, Brikena humbi biletën e fundit përballë Rogertit, duke ndërprerë rrugëtimin e saj vetëm pak ditë para natës së madhe të 18 Prillit.

Ndërkohë që ky vendim shkaktoi një “tërmet” të vërtetë komentesh dhe ndau publikun në rrjetet sociale, situata brenda shtëpisë ishte krejt tjetër pas fikjes së dritave të Prime-it.

Mateo është shfaqur thellësisht i prekur, i dërrmuar dhe në lot, duke treguar anën më të ndjeshme të këtij eliminimi.

Por, nëse Mateo po derdhte lot brenda mureve të shtëpisë, Brikena e ka treguar forcën e saj jashtë. Lëvizja e saj e parë, sapo ka marrë telefonin në dorë, ka qenë një konfirmim i qartë i raportit të tyre dhe një mbështetje e pakushtëzuar.

Që në orën 4 të mëngjesit, i vetmi postim origjinal në Story-n e saj në Instagram (përpos lumit të ripostimeve nga fansat), i është dedikuar ekskluzivisht betejës së Mateos për çmimin e madh.

Ajo ka ndarë grafikën zyrtare të votimit të katër finalistëve—Mateo, Miri, Rogert dhe Selin—por e ka bërë të qartë se ku anon peshorja e saj.

Duke e rrethuar me zemra portretin e Mateos, Brikena i ka bërë një thirrje të hapur të gjithë ndjekësve të saj: “TË VOTOJMË FITUESIN E PADISKUTUESHËM!”.

Ky veprim dëshmon se pavarësisht daljes, ajo mbetet mbështetësja e tij më e madhe në këtë sprint të fundit drejt fitores.