Shtyu drejt vetëvrasjes nënën e një fëmije, Gjykata merr vendimin për TikTok-erin shqiptar

Gjykata e Tiranës ka dhënë pak ditë më parë vendimin për Altin Çokun, TikTok-erin nga Kamza, duke e dënuar atë me 6 vite burgim.

Ai u gjet fajtor për ngjarjen e rëndë të vitit 2024, ku pas publikimit të një fotografie intime në rrjetet sociale, shtyu drejt vetëvrasjes Sibela Abedinin, nënën e një fëmije të mitur.

Prokuroria e Tiranës e kishte akuzuar fillimisht Çokun për dy vepra penale, “Shkaktim të vetëvrasjes” dhe “Përndjekje”, teksa prokurori i çështjes Drini Pali kishte kërkuar një dënim me 9 vite burg.

Megjithatë, në përfundim të procesit, trupa gjykuese vendosi të pushojë akuzën e përndjekjes, duke e dënuar atë përfundimisht me 6 vite për shkaktimin e vetëvrasjes, pasi u vërtetua se veprimet e tij i kishin krijuar viktimës një gjendje të rëndë ankthi dhe depresioni.

Sipas dosjes hetimore, e ndjera ishte divorcuar nga bashkëjetuesi i saj dhe po rriste e vetme vajzën 2-vjeçare. Ajo punonte duke pastruar dhe hekurosur në banesën e Altin Çokut, ku gjatë kësaj kohe kishin pasur edhe një raport intim.

Këtë moment, i pandehuri e kishte shfrytëzuar për të shkrepur fotografi me celularin e tij, të cilat më pas i publikoi me qëllim denigrimi në platformën “TikTok”.