“Jashtë do merremi vesh”/ Reagojnë familjarët e Mateos pas kërcënimeve të Mirit

Tensionet e fundit dhe debati i ashpër ku Miri lëshoi kërcënime të hapura ndaj Mateos kanë kaluar muret e shtëpisë së “Big Brother VIP”, duke sjellë një reagim të menjëhershëm nga familjarët e këtij të fundit.

Përmes një deklarate të gjatë të publikuar në llogarinë zyrtare të Mateos në Instagram, e cila menaxhohet nga të afërmit e tij, ata kanë shprehur shqetësimin për ngjarjen, duke kërkuar trajtimin e situatës me seriozitetin maksimal.

Në këtë reagim publik, familja e Mateos thekson se megjithëse e mirëkuptojnë natyrën e formatit, e cila shpesh përfshin emocione të forta dhe debate të nxehta, ata besojnë fort se ka disa kufij që nuk duhet të kapërcehen asnjëherë.

Ata kanë rikthyer në vëmendje pikërisht momentin më kritik të përplasjes, duke nënvizuar se fjalori i përdorur ishte krejtësisht i papranueshëm.

Gjatë një momenti brenda shtëpisë, banori Miri i është drejtuar Mateos me shprehjen ‘jashtë do merremi vesh’, duke e pranuar më pas edhe vetë që kjo ishte një kërcënim, jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj familjarëve të tij.”

Përmes këtij mesazhi, familjarët kërkojnë hapur nga produksioni që të ruhet me çdo kusht respekti dhe siguria e çdo banori.

Ata bëjnë thirrje që të mos normalizohen në ekran deklarata të tilla që mund të interpretohen si kërcënuese, me qëllim që t’i përcillet një shembull pozitiv publikut.

Ata e mbyllën deklaratën duke sqaruar se ky qëndrim nuk ka si qëllim të nxisë konflikte të mëtejshme jashtë, por thjesht të kërkojë më shumë përgjegjësi dhe vëmendje ndaj situatave të tilla kaq delikate.