Hatit i sekuestrohet BMW-ja luksoze në mes të Tiranës

Mesa duket, telashet nuk kanë fund për një nga figurat më të komentuara të rrjeteve sociale, Hatixhe Brikën, e njohur gjerësisht për publikun si Hati.

Pasi u përfshi së fundmi në një situatë mjaft të debatuar lidhur me publikimin e disa fotove të krijuara me inteligjencë artificiale, një çështje që e çoi deri në dyert e Komisariatit, influencerja nuk po gjen sërish qetësi.

Ditën e sotme, ajo është ndaluar nga efektivët e policisë së Tiranës në zonën e Medresesë.

Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, autoritetet kanë ndërhyrë duke i sekuestruar automjetin e saj luksoz, një BMW në ngjyrë rozë, e cila tashmë është kthyer në një mjet identifikues për të në rrjetet sociale.

Në një video të mbërritur pranë redaksisë së JOQ Albania dhe të shpërndarë me shpejtësi në internet, tregohet qartë momenti kur makina e saj po ngarkohet në karrotrec.

Vetë influencerja shihet duke qëndruar pranë vendit të ngjarjes, teksa komunikon me efektivët e policisë.

Deri në këto momente, mbetet ende e paqartë arsyeja e saktë e këtij sekuestrimi, nëse bëhet fjalë për probleme me dokumentacionin e mjetit, shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor apo ndonjë çështje tjetër ligjore, në pritje të një njoftimi zyrtar nga autoritetet për të hedhur më shumë dritë mbi situatën.