Mbrëmja e fundit e “Big Brother VIP Albania 5” u mbyll me një nga përplasjet më të forta dhe të tensionuara të këtij edicioni mes moderatorit Ledion Liço dhe banorit Miri.
Pas një spektakli të ngarkuar me dinamika të rënda, ku nëna e Selinës hyri në shtëpi për t’i kërkuar të bijës të linte garën — një situatë që Miri e cilësoi hapur si një teatër të mirëmenduar dhe favorizim nga produksioni për ta kaluar Selinën në finale — tensionet arritën kulmin pikërisht në minutat e fundit të transmetimit live.
E gjitha nisi kur Miri kërkoi me ngulm një përgjigje nga Ledioni lidhur me këtë ndërhyrje nga jashtë, duke iu drejtuar: “Edhe ne kemi presion Ledion. Po bëjmë Big Brother me familjarët që erdhën sot apo me veten tonë?”.
Përgjigjja e moderatorit nuk vonoi dhe erdhi me nota të theksuara ironie, duke i kujtuar Mirit një moment të tijin të mëparshëm:
“Me familjarët që të takuan ty te udhëtimi? O Miri të lutem. Miri, a ke ndonjë problem me situatën? Nëse s’ke asnjë problem me situatën mos ec me teorinë e viktimizimit”.
I revoltuar nga ky etiketim, Miri replikoi menjëherë duke thënë: “Patjetër, unë jam viktima apo dikush tjetër? Dua fjala të më jepet”.
Megjithatë, Ledioni nuk e lejoi të përfundonte argumentin e tij, duke marrë fjalën dhe duke e akuzuar banorin për qasjen dhe justifikimet e tij.
“Nëse ti fillon me këtë histori, siç bëre sot, e di sa njerëz ka të tillë që thonë do bëjmë teatër ne këtu… çfarë ke bërë ti 104 ditë aty, ke bërë teatër? Nëse s’ke bërë teatër kurrë vazhdo të mos bësh teatër, dhe ti do jesh ai që nëse e fiton këtë edicion do thuash faleminderit, nëse nuk e fiton do thuash ma bënë me të futme,” u shpreh moderatori prerë.
Më pas, ai u përpoq ta mbyllte debatin me një frazë mjaft thumbuese, duke thënë: “Miri, eja te darka se realisht është e pamundur. Flas me njerëz që kanë tru të kuptojnë…”.
Pikërisht atëherë ndodhi edhe përplasja më e ashpër e mbrëmjes. Pasi Ledioni i ftoi banorët të drejtoheshin për te darka e përgatitur, Miri u nis fillimisht për të kryer nevojat e tij në tualet.
Ky veprim solli një shpërthim në tone të larta nga ana e Ledionit, i cili i tërhoqi vëmendjen me mjaft ashpërsi në sy të të gjithëve: “Dhe Miri, je në Big Brother, kur të ftoj te darka të lutem të dalësh te darka”.
Kur Miri u përpoq të sqaronte situatën duke i thënë thjesht, “Do shkoj në tualet o Ledion”, përgjigjja autoritare dhe e nxehur e moderatorit habiti publikun dhe mbylli përfundimisht transmetimin: “Do shkosh në tualet pasi të shkëpus unë lidhjen!”.
Kjo mbyllje e paprecedentë ka lënë pas një klimë tejet të ndezur që pritet të reflektohet thellë në ditët në vazhdim brenda shtëpisë.
