E ftuar mëngjesin e sotëm në studion e emisionit “Wake Up”, bashkëshortja e Mirit ka shfrytëzuar hapësirën televizive për të sqaruar një prej situatave më të përfolura të ditëve të fundit në “Big Brother VIP 5”.
Gjithçka nisi pas një bisede brenda shtëpisë, ku Miri i tregoi Rogertit se kishte dëgjuar një sharje nga publiku drejtuar Selinës, ngjarje kjo që në rrjetet sociale u interpretua sikur personi që kishte ofenduar banoren ishte vajza 13-vjeçare e Mirit.
Rabea u shfaq mjaft e prerë në reagimin e saj, duke mbrojtur integritetin e familjes dhe edukatën me të cilën po rritet vajza e tyre.
“Kanë thënë që goca ime kishte thënë një fjalë për Selinën. Dua të sqaroj një gjë, se ne si familje jemi me edukatë dhe nuk shajmë asnjëri se nuk është niveli ynë të shkojmë në emisione apo rrjete sociale dhe të shajmë, veçanërisht vajza jonë 13 vjeçe,” u shpreh ajo, duke i dhënë fund aludimeve.
Më tej, ajo theksoi se sulmet e tilla ndaj një të miture janë të papranueshme dhe se askush nga rrethi i tyre familjar nuk është përfshirë në veprime të tilla ofenduese.
“Nuk e kemi sharë asnjëri,” përfundoi Rabea, duke kërkuar më shumë përgjegjshmëri nga publiku dhe ndjekësit e rrjeteve sociale përpara se të përhapin lajme që prekin anëtarët e familjes së konkurrentëve jashtë lojës.
